blog-post-img-2350

Forumi i parë rreth projektit “Roli i rinisë në luftën kundër korrupsionit”

Në vazhdimësi të projektit “Roli i rinisë në luftën kundër korrupsionit”, Qendra FIT mbajti forumin e parë me nxënësit e shkollave “Mihal Grameno” dhe “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë. Panelistë në forum ishin Milot Shala, hetues në Departamentin e Hetimeve në Agjencinë Kundër Korrupsionit; Petrit Bushi, Dekan i Administratës Publike në Kolegjin AAB; dhe Fidan Kalaja, Drejtor i Programeve në Lëvizjen FOL.
Drejtoresha e Qendrës FIT, Teuta Zymeri, mbajti fjalën hyrëse para nxënësve me ç’rast i falenderoi për angazhimin e tyre dhe shpjegoi rëndësinë e këtij projekti në luftën kundër korrupsionit.
Panelisti nga Agjencia kundër Korrupsionit, Milot Shala, u shpjegoi të pranishmëve organizimin e kësaj agjencie nëpër departamente dhe mënyrën se si funksionon. Gjithashtu, ai foli për strategjitë kundër korrupsionit dhe u tregoi nxënësve se si mund ta kontaktojnë agjencinë dhe i ftoi që t’i paraqesin rastet e korrupsionit të cilat i hasin.
Përfaqësuesi nga Kolegji AAB, Petrit Bushi, dha një hyrje për korrupsionin dhe tregoi disa nga dëmet që sjell. Më pas u bëri pyetje nxënësve për t’i nxitur ata të mendojnë për efektet e korrupsionit në jetën e përditshme. Poashtu, ai ua rikujtoi nxënësve rolin e tyre dhe i inkurajoi ata që të ngrisin zërin dhe ta raportojnë korrupsionin.
Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL foli për sfondin e kësaj organizate dhe angazhimin e saj në luftën kundër korrupsionit. Prezentimi i tij përfshiu të dhëna nga hulumtimi i organizatës, “Corruption Scan”, sipas të cilave mungon efikasiteti i luftimit të korrupsionit si pasojë e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies nga ana e institucioneve përgjegjëse.
Gjatë debatit përmbyllës, nxënësit bënë pyetje dhe diskutuan me panelistët. Ata bënë pyetje intelegjente të cilat dëshmuan se kanë reflektuar për përgjegjësitë e tyre.Një prej pyetjeve më mbresëlënëse në forum ishte “Si luftohet korrupsioni kur shfaqet në agjenci që luftojnë korrupsionin?”, pas së cilës pasoi një diskutim i gjallë mes të pranishmëve.

No Comments

*/ ?>