blog-post-img-2357

Forumi i dytë rreth projektit “Roli i rinisë në luftën kundër korrupsionit”

Qendra për Studime të Avancuara FIT mbajti forumin e dytë me nxënës në vijim të projektit “Roli i rinisë në luftën kundër korrupsionit”. Pjesëmarrës ishin nxënës nga këto shkolla të Prishtinës: “Model”, “American School of Kosovo” dhe “Xhevdet Doda”. E ftuar në forum ishte edhe Michelle Schohn, Udhëheqëse e Sektorit për Çështje Publike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Përfaqësuesi nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Dekani i Administratës Publike në Kolegjin AAB ishin panelistët të cilët dhanë prezentime për temën dhe më pas diskutuan me nxënësit.
Znj. Schohn dha një fjalim për nxënësit ku tha se korrupsioni e rrezikon të ardhmen e Kosovës, dhe vendit i duhen të rinjtë, të cilët duhet të gjejnë mënyra të reja për ta luftuar problemin dhe të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre që t’i dëgjojnë ata.
Drejtoresha e Qendrës FIT, Teuta Zymeri, i falenderoi për angazhimin e tyre dhe shpjegoi rëndësinë e këtij projekti në luftën kundër korrupsionit.
Përfaqësuesi nga Kolegji AAB, Petrit Bushi, foli për korrupsionin si femonen që nuk është shfaqur së fundmi, por që ka qenë për një kohë të gjatë i pranishëm në shoqëri. Ai foli edhe për rolin e korrupsionit si një problem funksional dhe efektet që ka në ekonominë e një vendi, si dhe në fusha tjera të jetës. Për ta mbyllur prezentimin në mënyrë pozitive, Z.Bushi listoi disa nga parimet kryesore për qeverisje të mirë, si: transparenca, ndershmëria, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit.
Panelisti nga Agjencia kundër Korrupsionit, Milot Shala, foli për kohën kur AKK ka nisur punën, u shpjegoi të pranishmëve organizimin e kësaj agjencie nëpër departamente dhe mënyrën se si funksionon, si dhe shpjegoji disa nga procedurat që ndiqen nga kjo agjenci për të bërë hulumtimet. Gjithashtu, ai foli për bashkëpunimin me qeverinë për hartimin dhe miratimin e strategjisë kundër korrupsionit.

IMG_7541

Gjatë debatit përmbyllës, panelistët u ofruan nxënësve këshilla për atë se çfarë ata mund të bëjnë në drejtim të zgjidhjes së problemit dhe dhanë alternativa që do të përmirësonin gjendjen e tanishme. Nxënësit dhanë mendimet e tyre për mënyrat se si do të donin ta luftonin korrupsionin dhe patën disa pyetje për panelistët. Një nga çështjet më domethënëse që u diskutua gjatë debatit ishte se cilat janë disa nga masat që duhen të merren nga gjeneratat e reja për ta ndihmuar shkëputjen e ciklit korruptiv në nivel të shkollave, për të vazhduar në nivele tjera të shoqërisë.

No Comments

*/ ?>