blog-post-img-2098

Rreth 750 fëmijë të kryeqytetit edukohen për financat

Tash e pas, 750 fëmijë të kryeqytetit kanë mësuar edhe për temat financiare. Kjo, sipas një njoftimi për media, është mundësuar nga Qendra për Studime të Avancuara FIT, projekt ky i financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, duke ua dhënë mundësinë këtyre fëmijëve që për gjashtë muaj të fundit të mësojnë për Edukimin financiar.

Gjatë realizimit të projektit, fëmijët kanë pasur ligjërata të shkurtra, lojëra me karakter garues, dhe po ashtu kanë marrë edhe materiale edukuese dhe kanë vizituar njërën prej bankave.

Sipas njoftimit, aktivitetet janë mbajtur në komunën e Prishtinës në disa shkolla fillore për mosha të ndryshme 6-13 vjeç, dhe institucione parashkollore për moshat 3-5 vjeç.

“Një nga karakteristikat kryesore të programit në përfshirje e një pjese sa më të madhe të nxënësve ka qenë fryma konkurruese e cila i ka entuziazmuar fëmijët. Konkurrenca gjithashtu sfidoi nxënësit për të dalë më kreativ, për të kërkuar sa më shumë zgjidhje. Idetë e tyre gjatë përpilimit të një Plani të Biznesit të kërkuar kanë qenë gjeniale”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sot, është mbajtur ceremonia përmbyllëse e projektit në shkollën fillore ‘Faik Konica’ në Prishtinë.

Me këtë rast, sipas njoftimit, janë ndarë dhurata për tri shkollat, nxënësit e të cilave treguan njohuritë e fituara rreth financave përmes një gare.

Drejtori i shkollës fillore fituese “Mitrush Kuteli”, Besim Korça, u shpreh i gëzuar me zënien e vendit të parë, duke shtuar që ata kanë nevojë për një program të veçantë për zgjerimin e njohurive financiare për grupet e synuara, si dhe për një sistem efektiv të edukimit ekonomiko-financiar në të gjitha nivelet e shkollave.

Ndërsa drejtoresha e projektit, Teuta Zymeri, theksoi se Edukimi financiar mbështet jo vetëm mirëqenien individuale, por edhe shëndetin ekonomik të kombit.

“Nxënësit dhe studentët tanë janë udhëheqësit e së nesërmes. Ne nuk mund të presim që ata të marrin vendime të mira kur të përballen me çështje shumë të rëndësishme dhe komplekse financiare që do të vijnë, pa arsimin dhe përgatitjen e duhur financiare. Fëmijët tanë kanë nevojë, dhe meritojnë më shumë njohuri financiare”, citohet të ketë thënë Zymeri.